Morën Stadiumin e Qytetit të Prishtinës edhe për 10 vjet të tjera, por nuk janë të kënaqur. Kryesisë së klubit më të madh në vendin tonë, Prishtinës, i duket shumë e shkurtër periudha prej 10 vjetësh. Kjo për shkak të vështirësive të mëdha për planifikimin e investimeve të mundshme.
Drejtori i përgjithshëm i klubit ‘bardhekaltër’, Sokol Krasniqi, në një prononcim për ‘Tribuna’ rreth çështjes së stadiumit dhe mandatit që ata e fituan nga Komuna ditën e enjte, ka deklaruar se do të dëshironte një periudhë më të gjatë se sa 10 vjet. “Vendimi për dhënien e stadiumit në shfrytëzim të FC Prishtinës është i drejtë, por ka diçka që nuk shkon. Periudha prej 10 vitesh është shumë e vogël. Planifikimi për ndonjë investim të mundshëm është shumë i vështirë. Kjo ndikon drejtpërdrejtë edhe tek investitorët e mundshëm”, tha Krasniqi.
Në fakt, Stadiumi i Qytetit në Prishtinë do t’i takojë klubit edhe për 12 vjetët e ardhshme, pasi që ende nuk i ka përfunduar mandati i kaluar, e i cili skadon pas dy vjetësh. Megjithatë, menjëherë pas marrjes së këtij vendimi nga ana e Komunës, ka ardhur edhe reagimi nga opozita komunale. Ata këtë vendim e konsiderojnë si jo të ligjshëm. Krasniqi i konsideron këto reagime si krejtësisht politike. “E di që ka pasur disa pakënaqësi, por vërtetë ato kanë qenë reagime të pabazuara dhe plotësisht politike”, thekson ai. Para këtij mandati që fillon nga viti 2015, klubi futbollistik Prishtina, mandatin paraprak po ashtu 10 vjeçar për ta shfrytëzuar Stadiumin e Qytetit të Prishtinës e kishte fituar në vitin 2005.
Menjëherë pas vendimit për mandatin 10 vjeçar, opozita e Komunës së Prishtinës kritikoi vendimin e kryetarit të Komunës, Isa Mustafa, dhe e vlerësoi atë si të njëanshëm me qëllim të përfitimeve personale, që më qartësisht do të thotë që, se Isa Mustafa ose të afërmit e tij kanë aksione te klubi i Prishtinës.
Gjithsesi një fakt të tillë e ka mohuar drejtori Krasniqi. “Me përgjegjësi të plotë ua them që as Isa Mustafa dhe askush prej familjes së tij nuk ka aksione tek FC Prishtina. Këto janë gënjeshtra të njerëzve që kanë qëllime të ndryshme”, tha Krasniqi.

No comments:
Post a Comment