Takimi i shumëpritur mes kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, të enjten ka filluar të ‘çojë pluhur’ në shtetin fqinj, Serbi. Takimi Blatter-Vokrri, që solli edhe njoftimin se Kosova do të diskutohet sërish në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, nuk është pritur aspak mirë në Serbi, me mediat serbe që tashmë kanë filluar presionin mbi Federatën dhe ‘aleatët’ e tyre.
Një zhurmë e tillë mund të sjell një takim të Blatter me përfaqësuesit serb dhe ata të UEFA-së para takimit të 22 marsit të Komitetit Ekzekutiv (KE) të FIFA-s, siç kishte ndodhur në muajin maj të vitit të kaluar. Për një fakt të tillë brengosës, është i vetëdijshëm edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
Në një prononcim për gazetën ‘Tribuna’, Salihu theksoi se mund të pritet një takim i tillë para mbledhjes së KE-së më 22 mars. “Mund të pritet një takim i tillë, siç ka ndodhur edhe më parë. Nuk e di se kur mund të jetë një i tillë, mirëpo FIFA duhet të na lajmërojë paraprakisht. Për çdo vendim të marrë për Kosovën, si dhe për çështjet ku diskutohet Kosova ata na kanë lajmëruar, mirëpo nuk jemi lajmëruar nëse një takim i tillë mund të mbahet këtyre ditëve”, theksoi Salihu.
Ky i fundit dhe FFK-ja gjatë të enjtes arritën një sukses mjaft të madh, duke e futur Kosovën në rend dite të takimit të 22 marsit të FIFA-s, ku do të diskutohen edhe njëherë modalitetet për lejimin e ndeshjeve miqësore për Kosovën. Në diskutim, veçanërisht do të jetë kushti i FIFA-s që ia obligon Kosovës të kërkojë leje nga Serbia për të zhvilluar ndeshje si vendas.
Reagojnë mediat serbe
Në anën tjetër, nuk ka vonuar shumë dhe kanë ardhur reagimet e para të mediave serbe pas takimit Vokrri-Blatter. ‘Alo.rs’ ka shkruar se Vokrri ia dorëzoi letrën e kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi presidentit Blatter, duke ndikuar mjaft shumë në idenë e Blatter për ta futur Kosovën në agjendën e diskutimit. ‘Alo.rs’ ka shkruar se zv/presidenti i FIFA-s, Shenes Erzik, ia rikujtuar kryetarit Vokrri statuset e FIFA-s. “Këto kërkesa i referohen një shteti të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht”, shkruhej në njoftimin e FIFA-s, transmeton ‘Alo.rs’.

No comments:
Post a Comment